Gjykata e Lartë Rajonale e Dyseldorfit ka dënuar me nëntë vjet burgim një 18-vjeçar nga Kosova, i cili akuzohej se kishte tentuar të vriste mësuesen e tij dhe një person tjetër, në një seri sulmesh të motivuara nga ideologjia islamiste.
I riu u shpall fajtor të martën, më 22 shtator, për dy raste të tentativës për vrasje dhe lëndim të rrezikshëm trupor, bëri të ditur një zëdhënëse e gjykatës.
Në vendimin e saj, gjykata ka marrë parasysh edhe një dënim të mëparshëm për të mitur, të shqiptuar nga Gjykata e Qarkut në Essen. Vendimi ende nuk është i formës së prerë.
Me nëntë vjet burgim, gjykata është bazuar në kërkesën e Prokurorisë Federale, ndërsa dënimi mbetet vetëm një vit nën maksimumin prej dhjetë vjetësh që mund t’u shqiptohet të miturve.
Nuk përjashtohet ndalimi preventiv
Trupi gjykues ka urdhëruar që 18-vjeçari të vendoset në një institucion për terapi sociale.
Sipas mediave gjermane, duke u bazuar në vlerësimin se ai mund të kryejë edhe vepra të tjera të rënda penale, nuk përjashtohet mundësia që pas vuajtjes së dënimit të vendoset në ndalim preventiv.
U radikalizua përmes internetit
Gjykata e ka konsideruar të provuar se i riu kishte zhvilluar një qëndrim radikal islamist përmes internetit.
Sipas transmetuesit publik gjerman WDR, ngjarja kishte ndodhur në shtator të vitit të kaluar, kur 18-vjeçari ishte ende 17-vjeç.
Sipas gjykatës, ai kishte vendosur të vriste mësuesen e tij kujdestare në një shkollë profesionale, si dhe të sulmonte sa më shumë persona të besimit hebre në Sinagogën e Vjetër në Essen.
I riu, i cili i ka pranuar veprat, ka deklaruar se mësuesja e tij kishte fyer Profetin Muhamed.
Sulmoi mësuesen dhe një person të pastrehë
Ditën e sulmit, 18-vjeçari fillimisht sulmoi dhe plagosi kujdestarin e një shkolle fillore, ku kishte kryer orë shërbimi në komunitet.
Më pas, ai shkoi në një shkollë profesionale në Essen, ku sulmoi me thikë mësuesen e tij. Gruaja pësoi plagë në pjesën e kraharorit, të cilat i rrezikuan jetën.
Pas sulmit, i riu u nis drejt Sinagogës së Vjetër në Essen. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme Federale, qëllimi i tij ishte të vriste sa më shumë persona hebrenj.
Por, pasi gjeti sinagogën të mbyllur, ai sulmoi me thikë një person të pastrehë në një stacion autobusi, duke e plagosur rëndë dhe duke i rrezikuar jetën.
Policia e ndaloi në një park
Sulmit i dha fund policia, e cila e ndaloi të riun në një park aty pranë, pasi ai nxori thikën.
Sipas aktakuzës, 18-vjeçari synonte të vdiste si “martir” nga të shtënat e policisë.
Një pjesëtar i policisë e qëlloi me armë automatike, duke e goditur në fytyrë. I riu mbeti i plagosur rëndë dhe më pas u arrestua.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


