Thursday, September 24, 2026
spot_img
HomeLajmeKonjufca takon homologun holandez, flet për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Përbën...

Konjufca takon homologun holandez, flet për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Përbën një padrejtësi serioze

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë të lartë ndërkombëtarë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Konjufca ka bërë të ditur se nga New Yorku po vazhdon angazhimin për forcimin e partneriteteve të Kosovës dhe avancimin e interesave të vendit në arenën ndërkombëtare.

Në kuadër të takimeve, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, Konjufca është takuar me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordan Grlić Radman.

Kroacinë, Konjufca e ka vlerësuar si një prej partnerëve më të afërt të Kosovës në rajon, “me të cilën ndajmë interesa të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe në avancimin e perspektivës euroatlantike të vendit tonë”.

Ai ka theksuar se partneriteti ndër vite me Kroacinë krijon mundësi të reja për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ndërkohë, në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, Tom Berendsen, Konjufca ka diskutuar edhe për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“I shpreha qëndrimin tonë se ky aktgjykim shtrembëron të vërtetën historike, përbën një padrejtësi serioze dhe duhet të korrigjohet në shkallën e Apelit”, ka theksuar ai.

Konjufca ka zhvilluar takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, L.T. Sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Ai ka thënë se marrëdhëniet politike mes Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe janë të shkëlqyera, ndërsa ka theksuar synimin e Kosovës për t’i dhënë kësaj afërsie edhe më shumë përmbajtje ekonomike.

“Biseduam për rritjen e investimeve dhe për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona në vitet në vijim”.

Gjatë qëndrimit në New York, Konjufca është takuar gjithashtu me ministrin e Jashtëm të Xhibutit, Abdoulkader Houssein Omar, ndërsa ka zhvilluar takime të shkurtra edhe me kryeministrin e Ruandës, Justin Nsengiyumva, dhe ministrin e Jashtëm, Olivier Nduhungirehe.

“Biseduam për forcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe këtyre vendeve”, ka thënë Konjufca.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT