Monday, August 3, 2026
spot_img
HomeLajmeKusari-Lila: Së shpejti Kurti pritet të dërgojë ftesë për LDK-në dhe partitë...

Kusari-Lila: Së shpejti Kurti pritet të dërgojë ftesë për LDK-në dhe partitë tjera  

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga mbajtja e seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë të ditur se së shpejti do të dërgohen ftesat e radhës për partitë politike.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pritet që shumë shpejt t’u dërgojë ftesë për takim Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partive të tjera parlamentare.

Këto ftesa, sipas saj, do të bëhen më qëllim të diskutimit për konstituimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.

Ajo ka thënë se pret që ftesa të bëhet para seancës konstituive, e cila është caktuar për të enjten e kësaj jave.

“Siç e dimë, përkundrejt çfarëdo marrëveshjeje ose mundësie për t’u zgjedhur Kryesia e Kuvendit, për t’u konstituuar Kuvendi apo për t’u zgjedhur Qeveria, prapë mospasja e suksesit në zgjedhjen e presidentit do e çonte vendin në zgjedhje në një periudhë të shkurtër kohore, jo më pak se dy muaj. Prandaj, për të parandaluar dhe evituar edhe një shkuarje në zgjedhje për të cilën duket se askush nuk e ka as vullnetin e as nuk e shohim se ka ndonjë arsye logjike shpresojmë që të gjithë të jenë të gatshëm të diskutojnë me seriozitetin më të lartë të mundur për detyrat që na takojnë si përfaqësues të zgjedhur të popullit.”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, pas seancës konstituive të Kuvendit dhe eventualisht edhe zgjedhjes së Qeverisë, të caktohet menjëherë edhe data për votimin për presidentin e vendit.

E pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të ofrojë një marrëveshje për partitë opozitare lidhur me çështjen e presidentit, ajo ka thënë se diskutimet mbeten të hapura, por se çdo marrëveshje sipas saj, duhet të jetë në përputhje me rezultatin zgjedhor.

“Unë mendoj që është e qartë çfarë është e mundur të ofrohet. Është e mundur të ofrohet diskutim e koalicion për qeverisje, ndërsa sa i përket çështjes së presidentit, është dakordimi i përbashkët i subjekteve qoftë vetëm me procesin e dakordimit, qëndrimit në sallë e votimit sipas vullnetit të tyre, apo edhe një marrëveshje më të gjerë. Është paksa problematike në rast se fillojnë të vendosen kushte të natyrës të cilat nuk përkojnë me vullnetin e qytetarëve të Republikës. Qytetarët kanë folur, rezultati dihet, dhe konform atij rezultati mund të pritet dakordimi politik në mes të subjekteve”, ka thënë Kusari Lila.

Sa i përket mundësisë që në takimet e ardhshme të propozohet një emër për president nga Lëvizja Vetëvendosje, Kusari-Lila ka thënë se kjo do të varet nga ecuria e bisedimeve.

“Kjo krejt varet nga dinamika e diskutimit. Takimi i parë është mbajtur me përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe është thënë se ka vullnet për të vazhduar me takime të tjera. Së shpejti jam e bindur se do të ketë takim tjetër dhe prej atyhit mandej mund të dalin edhe konkretisht dakordimet që janë bërë mes subjekteve”, ka deklaruar ajo. /EO

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT