Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në një takim të veçantë ekipin përfaqësues të Kosovës në matematikë, pas pjesëmarrjes së tyre në Olimpiada Evropiane e Matematikës 2026.
Ekipi u udhëhoq nga prof. asoc. dr. Valdete Rexhebeqaj-Hamiti, njëherësh kryetare e Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, ndërsa vendin e përfaqësuan nxënësit Ajan Hajrullahu, Lyron Celina, Vesa Xhymshiti, Ari Juniku, Shpendi Deva dhe Lekë Nikçi, thuhet në njoftimin e Presidencës transmeton Klankosova.tv.
Në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare, Ajan Hajrullahu arriti të fitojë medaljen e bronztë, ndërsa Lyron Celina dhe Vesa Xhymshiti u nderuan me mirënjohje nderi, duke dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes dhe potencialit të të rinjve kosovarë në matematikë.
Gjatë takimit, Haxhiu përgëzoi nxënësit për sukseset e tyre dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në gara të tilla ndërkombëtare. Ajo vlerësoi se rezultatet e arritura janë dëshmi e përkushtimit dhe disiplinës së tyre, duke e cilësuar këtë arritje si sukses të gjithë Republikës së Kosovës. Me këtë rast, ajo ndau mirënjohje për të gjithë anëtarët e ekipit dhe për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës.
Në diskutim u ngritën edhe sfidat me të cilat përballet kjo shoqatë në përgatitjen e nxënësve për gara ndërkombëtare. Ushtruesja e detyrës së Presidentes shprehu gatishmërinë e Presidencës për të ofruar mbështetje, si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes bashkëpunimit me institucionet përkatëse.
Një moment i rëndësishëm i takimit ishte edhe theksimi i faktit se Kosova do të jetë nikoqire e Olimpiadës Evropiane të Matematikës në vitin 2027, ku Prishtina pritet të mirëpresë të rinj të talentuar nga e gjithë Evropa.
Haxhiu ritheksoi se investimi në nxënësit e talentuar është investim në dije, shkencë dhe në të ardhmen e vendit.


