Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në përvjetorin e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë, ku më 2 maj 1999 u vranë 116 civilë shqiptarë të pafajshëm nga forcat serbe.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se në këtë përvjetor përulemi para kujtimit të burrave, grave dhe fëmijëve që u vranë mizorisht teksa ishin në kolonë për t’u shpërngulur drejt Shqipërisë.
Ai e ka cilësuar Masakrën e Studimes si një nga krimet më makabre të luftës në Kosovë dhe dëshmi të qartë të politikës gjenocidale të regjimit serb ndaj popullit shqiptar.
Sipas Haradinajt, plagët e popullit shqiptar mbeten ende të hapura dhe nuk mund të mbyllen pa u vënë drejtësia në vend dhe pa u ndëshkuar krimet e kryera në Kosovë.
Në fund, ai ka bërë homazhe për viktimat, duke thënë: “Lavdi e përjetshme martirëve të Studimes dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të Kosovës”. /Klankosova.tv


