Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka takuar udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet dhe sfidat me të cilat po përballet vendi.
Hamza ka thënë se në takim është diskutuar për rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit, të së vërtetës për luftën dhe vlerave për të cilat, sipas tij, janë sakrifikuar breza të tërë.
“Veteranët e UÇK-së bartin mbi supe pjesën më të rëndësishme të historisë së vendit tonë. Ata qëndruan në ditët më të vështira dhe sakrifikuan për lirinë”, ka shkruar Hamza.
Ai ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar për 1 tetor në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Më 1 tetor, në orën 16:00, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, do të jemi bashkë me veteranët, studentët dhe të gjithë qytetarët e vendit tonë. Të gjithë bashkë kundër padrejtësisë!”, ka deklaruar Hamza.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


