Në Shkollën e Nënoficerëve të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) ka përfunduar me sukses “Kursi i Avancuar për Lider – Gjenerata 18-2026”.
Kursi kishte për qëllim ngritjen e kapaciteteve udhëheqëse, zhvillimin e aftësive taktike dhe përgatitjen profesionale të pjesëtarëve të FSK-së për detyra si udhëheqës skuadre dhe rreshter togu.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u angazhuan në fusha të ndryshme, përfshirë udhëheqjen ushtarake, planifikimin operacional, komunikimin, vendimmarrjen dhe zbatimin e procedurave taktike në terren.
Në zhvillimin e kursit kontribuuan edhe instruktorë nga Akademia e Nënoficerëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët nga 21 deri më 25 shtator 2026 ligjëruan tema profesionale dhe ndanë përvojat e tyre në fushën e zhvillimit të nënoficerëve.
Në ceremoninë përmbyllëse u vlerësua angazhimi i instruktorëve dhe kursantëve, ndërsa u theksua rëndësia e zhvillimit të vazhdueshëm profesional të nënoficerëve në kuadër të FSK-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


