Thursday, May 7, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Krismë arme brenda banesës së një zyrtareje policore në Ferizaj...

Ekskluzive | Krismë arme brenda banesës së një zyrtareje policore në Ferizaj – dyshohet se partneri ia shkrep revolen

Një incident me armë zjarri ka alarmuar mbrëmë Policinë në Ferizaj, pasi një plumb është shkrepur brenda banesës së një zyrtareje policore, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:15 në një banesë në Ferizaj, kur Policia ka pranuar një telefonatë nga një dëshmitar (emër i njohur për Sinjalin), i cili kishte raportuar se zyrtarja policore kishte problem me partnerin dhe se dyshohej për përdorim të armës zyrtare.

Pas alarmit, njësitë policore kanë dalë me urgjencë në adresën e raportuar dhe janë orientuar deri te banesa në katin e shtatë nga vetë denoncuesi.

Brenda banesës, Policia ka hasur zyrtaren policore B.J., partnerin e saj Sabit Aliu rreth 65 vjeç, si dhe prindin e zyrtares.

Sipas burimeve të Sinjalit, në vendngjarje është konstatuar se arma zyrtare e zyrtares policore ishte shkrepur brenda banesës.

Forenzika ka gjetur një gëzhojë të armës së shkrepur, ndërsa në dysheme është vërejtur edhe një vrimë që dyshohet të jetë shkaktuar nga predha.

Për shkak të dyshimeve fillestare, Sabit Aliu është arrestuar menjëherë në vendngjarje dhe është shoqëruar në Stacionin Policor për intervistim.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetimet rajonale dhe njësia e forenzikës, të cilat kanë bërë ekzaminimin e plotë të banesës dhe kanë sekuestruar revolen zyrtare bashkë me provat tjera materiale.

Gjatë intervistimit, zyrtarja policore ka deklaruar se partneri i saj kishte marrë armën dhe arma ishte shkrepur brenda banesës.

Ndërsa i dyshuari ka deklaruar para hetuesve se armën e kishte marrë “nga kureshtja”, për të parë si funksionon dhe se nuk kishte qenë në dijeni që në tytë ndodhej plumbi.

Fatmirësisht, nga incidenti nuk ka persona të lënduar, ndonëse plumbi ka depërtuar në dyshemenë e banesës.

Pas përfundimit të intervistimit, me urdhër të Prokurorisë rasti është iniciuar si “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT