Tuesday, September 8, 2026
spot_img
HomeLajmeNdalohen punimet në dy kantiere në Drenas dhe Gjakovë, paraqisnin rrezik serioz...

Ndalohen punimet në dy kantiere në Drenas dhe Gjakovë, paraqisnin rrezik serioz për jetën e punëtorëve

Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në dy kantiere ndërtimi në Drenas dhe Gjakovë, pasi gjatë inspektimeve janë evidentuar shkelje të rënda ligjore që paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

Inspektimet janë realizuar në kuadër të aktiviteteve për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, si dhe respektimin e rregullave për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.

Sipas Inspektoratit, shkeljet e konstatuara në të dy kantieret kanë qenë të një natyre të tillë që ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar rrezikimin e punëtorëve.

‘’ Si rezultat, Inspektorati Qendror i Punës ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në të dy kantieret deri në eliminimin e plotë të parregullsive të evidentuara’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

Institucionet përgjegjëse kanë obliguar subjektet e inspektuara që të eliminojnë të gjitha mangësitë e evidentuara dhe të përmbushin kërkesat ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Punimet në këto kantiere nuk do të mund të rifillojnë derisa inspektorët të verifikojnë se janë përmbushur të gjitha kushtet dhe standardet e kërkuara me ligj.

Sipas Inspektoratit, masat e ndërmarra synojnë parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e një ambienti të sigurt për punëtorët.

Inspektorati Qendror i Punës ka paralajmëruar se do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë territorin e Kosovës dhe se do të ndërmarrë masa ndaj çdo subjekti që cenon sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.

Në të njëjtën kohë, Inspektorati u ka bërë thirrje punëdhënësve që të respektojnë me përpikëri dispozitat ligjore dhe të garantojnë kushte të sigurta pune, duke theksuar se mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i panegociueshëm.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT