Një 27-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi u kap duke ndarë lëndë narkotike në doza, me qëllim shitjen e tyre në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Në kuadër të aksioneve kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” konstatuan shtetasin J. C., 27 vjeç, banues në Paskuqan, në një automjet të parkuar në rrugën “Jordan Misja”.
Sipas Policisë, i riu ishte duke ndarë lëndët narkotike në doza, ndërsa sapo ka konstatuar praninë e efektivëve ka tentuar të largohet me vrap. Megjithatë, ai është kapur nga shërbimet e Policisë.
Pas arrestimit, 27-vjeçarit i është kryer kontroll fizik, ndërsa është kontrolluar edhe automjeti me të cilin ndodhej.
Gjatë kontrolleve, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar doza të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, përzierje Crack, si dhe municion luftarak.
Policia bën të ditur se arrestimi është kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të intensifikimit të punës për identifikimin dhe ndalimin e personave të përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


