Tuesday, September 8, 2026
spot_img
HomeLajmePrangosen pesë persona për tjetërsimin e një prone 1.5 milionëshe në Fushë...

Prangosen pesë persona për tjetërsimin e një prone 1.5 milionëshe në Fushë Kosovë

Pesë persona janë arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, lidhur me tentativën për tjetërsimin e një prone prej dy hektarësh në Fushë Kosovë, me vlerë rreth 1.5 milionë euro.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se arrestimet janë kryer sot në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

Sipas dyshimeve fillestare të Prokurorisë, personat e përfshirë dyshohet se, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, në mënyrë të qëllimshme dhe të kundërligjshme, kanë pajisur me fletë poseduese personin M.S. për një pronë që ndodhet në Fushë Kosovë dhe ka sipërfaqe prej dy hektarësh.

Më pas, sipas hetimeve, M.S. dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar ta tjetërsojë pronën përmes shitblerjes te personat M.Z. dhe M.Z., duke përdorur dokumente të falsifikuara.

Vlera e pronës, sipas Prokurorisë, kap shumën prej 1 milion e 500 mijë eurosh.

Pesë të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 dhe neni 31 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK).

Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT