Monday, August 3, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Alarmoi Policinë se dikush i kishte hyrë në banesë –...

Ekskluzive | Alarmoi Policinë se dikush i kishte hyrë në banesë – brenda u zbuluan drogë, para dhe fishekë, ndalohet 17-vjeçarja në Prizren

Një telefonatë për një person të panjohur që dyshohej se kishte hyrë në një banesë në Prizren ka përfunduar me zbulimin e një sasie të konsiderueshme narkotikësh, parave të gatshme dhe municionit, ndërsa një e mitur është ndaluar nga Policia.

Sinjali mëson se e dyshuara është E.Sh.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 gushtit, rreth orës 03:00, në rrugën “Rrust Kabashi” në Prizren.

Burimet bëjnë të ditur se fillimisht një vajzë kishte telefonuar Policinë duke raportuar se dyshonte se një person i panjohur kishte hyrë në banesën e saj dhe se ndihej e frikësuar.

Pasi kanë mbërritur në vendngjarje, zyrtarët policorë kanë hyrë në banesë së bashku me të miturën për të verifikuar raportimin. Gjatë kontrollit, ata kanë hasur në një çrregullim të madh në banesë dhe kanë vërejtur substanca të dyshuara narkotike të shpërndara në vende të ndryshme, mes rrobave, valixheve dhe qeseve.

Në vendngjarje kanë dalë hetuesit dhe njësia e forenzikës, të cilët kanë sekuestruar:

  • 33.17 gram substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë;
  • 135 euro para të gatshme;
  • katër fishekë të armës së zjarrit.

Sipas burimeve, e mitura dyshohet se ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike në momentin e ndërhyrjes së Policisë.

Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës dhe përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale, ajo ka pranuar se narkotikët dhe sendet e sekuestruara i përkisnin asaj.

Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, ndaj saj është iniciuar procedurë për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, 17-vjeçares i është caktuar masa e ndalimit për 24 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT