Një pjesë e shtëpisë së familjes Berisha në Zveçan është djegur mbrëmjen e së dielës.
Për këtë, ka njoftuar Zana Berisha, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Kjo familje ishte rikthyer në shtëpinë e saj pas plot 28 vjetësh.
Sipas Zana Berishës, objekti u bë cak i një sulmi të dyshuar me zjarr.
“Mbrëmjen e kaluar kanë tentuar me na djeg komplet shtëpinë. Fatmirësisht, një pjesë e madhe e shtëpisë ka shpëtuar. Krejt kjo si pasojë se ne nuk jemi 24 orë këtu. Kjo nuk do të thotë kurrgjë për ne si familje. Përkundrazi, vetëm sa e forcon bindjen tonë se jemi në rrugën e drejtë. Jemi të lirë, kemi përkrahjen e institucioneve të shtetit tonë dhe do të vazhdojmë.”, ka thënë ajo.
Berisha ka thënë se pavarësisht këtij rasti, nuk do të tërhiqen nga punimet në shtëpi, për ta bërë atë sërish të jetueshme.
“Do të kthehemi edhe më të fuqishëm se më parë. Shtëpia jonë do të renovohet. Është një ndjenjë shumë e keqe dhe një emocion negativ që sot në mëngjes u zgjuam me një lajm të tillë, por kjo nuk ka për të na ndalur”, ka deklaruar Berisha. /Klankosova.tv


