Friday, September 4, 2026
spot_img
HomeShowbizDetaje të reja rreth vrasjes së Burim Havollit në New York

Detaje të reja rreth vrasjes së Burim Havollit në New York

Në New York, Burim Havolli, 41 vjeç, mbikëqyrës i një ndërtese 8-katëshe, humbi jetën pas një përleshjeje me një person të dyshuar për vjedhje paketash.

Sipas televizionit lokal News12, ngjarja ndodhi më 12 nëntor, rreth orës 08:00 të mëngjesit, në adresën 1199 Ocean Avenue, pranë Glenwood Road.


Policia e NYPD-së dhe dëshmitarët thonë se Havolli e kapi në flagrancë një 30-vjeçar që po vidhte pako në hyrje të ndërtesës. Përballja verbale u shndërrua shpejt në konflikt fizik, gjatë të cilit hajduti dyshohet se e goditi disa herë në kokë me celularin e tij. Pavarësisht goditjeve, Havolli arriti ta mbante të ndaluar derisa mbërriti policia, e cila e arrestoi të dyshuarin.

Gazetari i News12 në vendngjarje raportoi se fillimisht Havolli nuk kërkoi ndihmë mjekësore, por u rikthye në apartamentin e tij në katin e dytë. Aty ai nisi të vjellë dhe më pas humbi ndjenjat para syve të bashkëshortes. U dërgua me urgjencë në spitalin Kings County Hospital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda në kokë.

“Kjo është e pabesueshme. Është një dhimbje e madhe. Ai la pas tre fëmijë shumë të vegjël, 1 deri në 4 vjeç. Nuk po e besoj që s’është më”, u shpreh kushëriri i tij, Petrit Havolli, për mediat amerikane.

Shtypi lokal raporton se Burim Havolli punonte prej më shumë se 15 vitesh si mbikëqyrës në këtë ndërtesë. Banorët e kujtojnë si njeri të sjellshëm, punëtor dhe gjithmonë të gatshëm për t’i ndihmuar.

Policia deklaroi se Havolli kishte paralajmëruar disa herë për vjedhjet e shpeshta të pakove në zonë, një problem që ishte bërë shqetësim i vazhdueshëm për komunitetin dhe ndërtesën ku ai punonte.

I dyshuari, një 30-vjeçar, po mbahet nga policia për marrje në pyetje. Hetimet janë ende në vazhdim dhe deri tani nuk janë ngritur akuza zyrtare. Sipas NYPD-së, mjekësia ligjore do të përcaktojë nëse bëhet fjalë për vrasje.

Ndryshe, familja Havolli ka bërë të ditur se i ndjeri do të varroset në Kosovë. /Telegrafi/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT