Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë, avokati Besnik R. Berisha ka thënë se vendimi nuk ka qenë i papritur për të.
Duke folur në Kanal 10, Berisha deklaroi se gjatë gjithë procesit kishte krijuar bindjen se rasti do të përfundonte me një aktgjykim dënues.
“Tani e kemi më lehtë, se e kemi ditë, e kemi pritë, se kemi dashtë të kemi dashtë. Në këtë fazë ku jemi, besoj që në studio televizive besoj kemi lënë gjurmë goxha shumë që tregonim se nuk ka një fund të mirë, jo vetëm për shkak të asaj që shkruan në aktakuzë, por edhe për procesin që zhvillohej dhe për shkak të mundësive që dënoheshin, për shkak të pyetjeve që parashtroheshin, mbi të gjitha për shkak të vazhdimit të masës së paraburgimit”, tha Berisha.
Ai theksoi se bindjen për një aktgjykim dënues e kishte krijuar sidomos pas përfundimit të provave të Prokurorisë dhe vazhdimit të paraburgimit.
“Unë pata krijuar bindjen se do të ketë aktgjykim dënues të pasditueshëm në momentin kur kanë përfunduar provat e Prokurorisë dhe kur është vazhduar sërish paraburgimi, madje me arsyetimin se mund të ndikohen edhe dëshmitarët e mbrojtjes”, u shpreh ai.
Berisha ka kritikuar mënyrën se si është zhvilluar mbrojtja në këtë proces, duke thënë se ajo ka qenë tërësisht në duart e avokatëve ndërkombëtarë.
“E kam thënë edhe më parë, besoj mënyra se si është zhvillu mbrojtja, tërësisht në duart e avokatëve ndërkombëtarë, nuk ka dhënë gjithçka dhe nuk ka arritë çdo gjë të mundshme që duhej të arrihej”, tha ai.
Sipas tij, një prej problemeve ka qenë edhe mungesa e ekipeve të përziera të mbrojtjes.
“E kam thënë edhe më parë, mungesa e ekipeve mikse, po jo ekipe mikse dekorative, të cilët ulen mbrapa dhe mbajnë shënime, sigurisht që ka sjellë defekte në strategjinë e në mundësi”, deklaroi Berisha.
Avokati tha se gjatë procesit ka pasur gabime në disa nivele, ndërsa kritikoi edhe mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale.
“Por, njëkohësisht e kam thënë edhe më parë që themelimi i Gjykatës është tejkaluar gjatë rrugës dhe u shndërrua në një noter të Prokurorisë, që çfarëdo kërkese që ushtrohej e parashtrohej, madje forcohej edhe më shumë arsyetimi se sa jepte Prokuroria”, tha Berisha.
Në fund, ai tha se përgjegjësia për situatën e krijuar nuk mund t’i atribuohet vetëm një pale.
“Kështu që faji është jetim. Mundësia për kthim nuk ekziston, por që ka pasur gabime në secilën anë, ka pasur, edhe që datojnë nga 27-28 vite më parë. Ka pasur një mendjelehtësi, për të ardhur deri te një drejtësi”, përfundoi Berisha.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


