Irani dhe aleatët e tij po shqyrtojnë “aktivizimin e fronteve të tjera”, përfshirë ngushticën Bab al-Mandab, si përgjigje ndaj sulmeve të Izraelit në Liban, raportuan të hënën mediat iraniane, raporton CNN.
Mbyllja e kësaj rruge ujore strategjike mund të shkaktojë ndërprerje të konsiderueshme në tregtinë globale dhe t’i trazojë më tej tregjet e naftës. Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm pas këtij lajmi.
Bab al-Mandab ndodhet në skajin jugor të Detit të Kuq dhe është një portë kyçe drejt Kanalit të Suezit, duke lidhur Europën dhe Azinë përmes një prej rrugëve detare më të ngarkuara në botë. Me vetëm 29 kilometra gjerësi në pikën e saj më të ngushtë, ajo është vendi ku anijet kanë qenë më parë objekt sulmesh nga rebelët Huthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani.
Në fund të vitit 2023, militantët Huthi filluan të sulmonin anije tregtare që kalonin përmes kësaj ngushtice në shenjë hakmarrjeje për luftën e Izraelit në Gaza. Sulmet i shtynë kompanitë detare të përdornin një rrugë më të gjatë, duke shtuar javë të tëra në udhëtime dhe duke i detyruar të shpenzonin më shumë për karburant, sigurime dhe paga të marinarëve.
Gati 15% e tregtisë detare globale kalon përmes Bab al-Mandab. Sipas vlerësimeve të industrisë, ndërprerjet e mëparshme të transportit detar ndërmjet viteve 2023 dhe 2025 ndoshta kanë kushtuar rreth 20 miliardë dollarë në vit.
Megjithatë, ngushtica ka mbetur kryesisht e kalueshme gjatë luftës aktuale, duke ruajtur një rrugë kritike eksporti për Arabinë Saudite, eksportuesin më të madh në botë të naftës bruto, pasi Irani mbylli në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit.
Huthit e Jemenit ende nuk kanë komentuar raportimet iraniane. Por në mars, Mohammed Mansour, zëvendësministër i informacionit në qeverinë rebele Huthi, i tha CNN-it se mbyllja e Bab al-Mandab “është një opsion i zbatueshëm dhe pasojat do t’i mbajnë agresorët amerikanë dhe izraelitë”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


