Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka deklaruar se sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës ruse të naftës po shkaktojnë tronditje në tregjet globale të energjisë dhe po ndikojnë në rritjen e çmimeve të karburanteve.
Në një intervistë për Fox News, pas takimit me ministrin rus të Financave, Anton Siluanov, në kuadër të samitit të G20-ës, Bessent tha se goditjet ndaj objekteve energjetike dhe kapaciteteve ruse të përpunimit po ushtrojnë presion mbi çmimet botërore.
“Aktualisht po kalojmë një tronditje energjetike, si për shkak të luftës në Ukrainë, ashtu edhe për shkak të konfliktit në Iran”, deklaroi ai.
Çmimet e naftës në Shtetet e Bashkuara u janë afruar niveleve rekord, ndërsa nafta Brent është tregtuar me rreth 97 dollarë për fuçi.
Deklarata e Bessentit bie ndesh me qëndrimin e shumicës së ligjvënësve amerikanë, të cilët e konsiderojnë Rusinë agresore në luftën kundër Ukrainës. Kritika ka nxitur edhe vendimi i Uashingtonit për ta ftuar Siluanovin në takimin e G20-ës dhe për të zhvilluar bisedime dypalëshe me të.
Bessent i hodhi poshtë kritikat e aleatëve evropianë, duke argumentuar se komunikimi me të dyja palët është i domosdoshëm për arritjen e një zgjidhjeje.
“Nëse palët nuk flasin dhe nëse ne nuk jemi të përfshirë, si mund të zgjidhet konflikti? E di se kjo la shije të hidhur te disa evropianë, por mendoj se është shumë e rëndësishme të jemi të përfshirë”, tha ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


