Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se më 7 qershor pret të ketë rezultate tjera nga ato të 28 dhjetorit të vitit të kaluar.
Në Edicionin Special të Klan Kosovës, Bajrami ka thënë se nga takimet në terren me struktura partiake dhe me qytetarë, sipas saj, vërehet një disponim i madh për LDK-në dhe një revoltë e theksuar e tyre me pushtetin aktual.
“Është një shenjë revolte e qytetarëve ndaj pushtetit aktual për arsye se për më pak se 15 muaj jemi për herë të tretë në zgjedhje. Qeveria ka kthyer mbrapa besimin e qytetarëve, po e dorëzon një fitore që ia kishin dhënë më herët dhe unë besoj se qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht keqpërdorimit të buxhetit në funksion të blerjes së vototave, do të reflektojnë dhe më 7 qershor do të votojnë racionalisht. Nga ajo që po shihet pritet që rezultati të jetë i ndryshëm dhe ne të jemi më të suksesshëm.”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka shtuar se qytetarët vazhdimisht po ankohen për vështirësitë me të cilat po përballen, si pasojë e rëndesës së jetës.
“Bazuar në komunikimin që e kemi në terren, pika e parë që njerëzit e diskutojnë me neve është pakënaqësia me pushtetin aktual, ka një revoltë. Njerëzit po përballen me problem të ndryshme dhe dëshirojnë që ta kenë një qeveri që merret me zgjidhjet e tyre. Unë konsideroj se ka një rikthim pozitv, ka një disponim të mirë ndaj LDK-së dhe pres me besim të madh që rezultati të jetë bindshëm më i mirë.”, ka deklaruar kandidatja për deputete nga LDK-ja. /Klankosova.tv


