Lufta e presidentit amerikan Donald Trump në Iran nuk gëzon mbështetje nga shumica e qytetarëve amerikanë, ashtu siç nuk gëzonin as lufta në Afganistan në vitin 2006 dhe ajo në Vietnam në fillim të viteve ’70.
Kështu rezulton nga një sondazh i përbashkët i mediave “Washington Post” dhe “ABC News”, në bashkëpunim me agjencinë “Ipsos”.
Sipas studimit, 61 për qind e amerikanëve vlerësojnë se përdorimi i forcës ushtarake në Iran ka qenë një gabim, ndërsa më pak se dy në dhjetë besojnë se aksionet në Republikën Islamike kanë qenë efikase.
Rreth 40 për qind e të anketuarve mendojnë se operacioni nuk ka pasur sukses, ndërsa një përqindje e ngjashme thotë se është ende herët për të nxjerrë përfundime.
Megjithatë, mbështetja për luftën mbetet e lartë në radhët e republikanëve, me 79 për qind të tyre që besojnë se nisja e saj ka qenë vendimi i duhur.
Ndërkohë, Trump është informuar në orët e fundit nga kreu i Shtabit të Përgjithshëm për opsionet e mundshme të sulmeve ushtarake ndaj Iranit.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur presidentit po i skadon afati për nisjen e luftërave pa miratimin e Kongresit, në kuadër të 60 ditëve të përcaktuara nga “War Powers Act”. Pas këtij afati, ai është i detyruar të kërkojë autorizim nga Kongresi për kompetencat luftarake.
Lufta ndaj Iranit i ka kushtuar deri tani Shteteve të Bashkuara rreth 100 miliardë dollarë, katër herë më shumë nga sa ka deklaruar Pentagoni.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, përmes një postimi në rrjetin “X”.
“Pentagoni gënjen. Kostot indirekte për taksapaguesit amerikanë janë shumë më të larta. Fatura mujore për çdo familje amerikane është 500 dollarë më shumë dhe po rritet me shpejtësi”, ka thënë Araghchi.
Në të njëjtën kohë, i zhgënjyer nga aleatët evropianë që refuzuan të përfshiheshin në konflikt, Trump po shqyrton reduktimin e trupave amerikane në Itali dhe Spanjë, pas planit për tërheqjen e tyre nga Gjermania.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


