Nga Lituania, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka akuzuar Moskën se po përpiqet të destabilizojë demokracitë evropiane përmes alarmeve të fundit për dronë në shtetet baltike.
Von der Leyen iu referua ngjarjeve të një jave më parë, kur autoritetet lituaneze u kishin kërkuar qytetarëve të drejtoheshin në vendstrehime, pasi ekzistonte mundësia që hapësira ajrore e vendit të shkelej nga dronë.
“Banorët në vendet baltike kanë përjetuar atë që shumë besonin se i përkiste një epoke tjetër. Alarme për sulme ajrore, familje që strehohen, mbyllje shkollash, ndërprerje transporti. Ky është realiteti në kufirin lindor të Evropës në vitin 2026. Këto nuk janë incidente të izoluara. Kjo është një strategji e qëllimshme nga Rusia, që përpiqet të destabilizojë shoqëritë tona demokratike. Por, shumë ngjashëm me fushat e betejës së Ukrainës, Rusia po dështon”, u shpreh Von der Leyen.
Përkrah presidentëve të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, Von der Leyen pranoi se vala e alarmeve për sulme ajrore ka ekspozuar dobësi në mbrojtjen e kontinentit.
“Atë që po e përjetoni ju sot, pjesa tjetër e Evropës mund të përballet nesër. Do të shtojmë përpjekjet për të trajtuar problemin, duke filluar me sisteme më të unifikuara alarmi dhe koordinim të përmirësuar ndërkufitar”, tha ajo.
Alarmet me dronë janë bërë gjithnjë e më të shpeshta muajt e fundit në shtetet baltike, ndërsa Ukraina ka intensifikuar sulmet kundër objektivave ruse. Vendet baltike akuzojnë Rusinë për devijim të qëllimshëm të sulmeve ukrainase që synojnë goditjen e objekteve industriale dhe infrastrukturës së karburanteve fosile.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


