Thursday, May 7, 2026
spot_img
HomeLajmeAksioni i Policisë dhe IPK-së, prangosen 6 persona për keqpërdorim detyre e...

Aksioni i Policisë dhe IPK-së, prangosen 6 persona për keqpërdorim detyre e ryshfet -sekuestrohen vetura, ora e telefona

Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se një aksion i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) ishte duke u zhvilluar në disa lokacione të vendit, nën dyshimet për keqpërdorime dhe dallavere me prona.

Raportimin e ka konfirmuar edhe Prokuroria, e cila ka bërë të ditur se aksionet janë duke u zhvilluar në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.

Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar 6 persona për 48 orë, me inicialet F.S., L.R., N.S., A.I., A.Sh. dhe B.B.

Të dyshuarit po hetohen për disa vepra penale, përfshirë: ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ‘’Keqpërdorimi i informatës zyrtare’’ nga neni 416 i KPRK-së, ‘’Mashtrimi’’ nga neni 323 i KPRK-së, ‘’Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’ nga neni 395 i KPRK-së, ‘’Deklarimi i rremë nën betim’’ nga neni 383 i KPRK-së, ‘’Marrja e ryshfetit’’ nga neni 421, ‘’Dhënia e ryshfetit’’ nga neni 422 i KPRK-së, ‘’Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit’’ nga neni 194 i KPRK-së, si dhe ‘’Shkelja e fshehtësisë së procedurës’’ nga neni 392 i KPRK-së.

Në kuadër të këtij aksioni, Prokurori i Shtetit ka sekuestruar dy vetura në vlerë rreth 80.000 euro, një orë dore të markës Rolex në vlerë afro 8.000 deri në 10.000 euro, pesë telefona celularë, si dhe dokumente të tjera që do të shërbejnë si prova materiale në këtë procedurë penale.

Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, pritet të parashtrojë kërkesë për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të pandehurve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se “vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT