Aktivistë të platformës qytetare “Liria Ka Emër” kanë zhvilluar sot një aktivitet simbolik para objektit të EULEX-it në Prishtinë, ku ndodhet edhe Zyra e Dhomave të Specializuara.
Në këtë aktivitet u vendos një pankartë me mbishkrimin: “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm!”
Platforma kërkoi drejtësi dhe liri për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po gjykohen në Hagë.
Para mediave foli Flaka Fazlija, vajzë dëshmori, e cila tha se familjet e dëshmorëve nuk mund të heshtin kur vihet në pikëpyetje historia e luftës së Kosovës.
“Ne nuk kërkojmë hakmarrje. Ne kërkojmë drejtësi. Ama drejtësia nuk mundet me qenë e drejtë nëse e harron historinë”, tha Fazlija.
Ajo theksoi se lufta e UÇK-së duhet të shihet në kontekstin e asaj që, sipas saj, ishte përpjekje për çlirimin e Kosovës.
Fazlija tha gjithashtu se vendimi që pritet më 16 shtator ka rëndësi jo vetëm për katër të akuzuarit, por edhe për mënyrën se si do të trajtohet historia e luftës së Kosovës.
“Në Hagë nuk janë veç katër emra. Bashkë me ta është edhe historia jonë”, deklaroi ajo.
Në fund, ajo tha se aktivitetet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Platforma “Liria Ka Emër” ka paralajmëruar edhe Marshin për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


