Dy të rinj shqiptarë kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku në ishullin e Kretës, në Greqi.
Sipas raportimeve të mediave greke, aksidenti ka ndodhur në zonën e Kolymbarit, në Hania, gjatë orëve të para të mëngjesit.
Viktimat, të moshës 28 dhe 34 vjeç, po udhëtonin me motoçikletë në autostradën kombëtare, kur rreth orës 03:00 mjeti ka dalë nga rruga për shkaqe që ende nuk janë bërë të ditura.
Pas daljes nga korsia, motoçikleta është përplasur me barrierën metalike mbrojtëse, duke u shkaktuar lëndime të rënda dy të rinjve.
Ekipet e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje dhe i kanë dërguar të plagosurit në Spitalin e Hanias.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, të dy nuk kanë arritur t’u mbijetojnë plagëve dhe janë shpallur të vdekur.
Policia greke ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


