Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar mbrëmjen e së premtes në Obiliq, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj se e kishte sulmuar fizikisht dhe e kishte zvarritur për flokësh, mëson Sinjali nga burimet.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Kosova B” në Plemetin.
Sipas informatave, rreth orës 21:50 viktima E. Z (28-vjeçare) është paraqitur në Stacionin Policor në Obiliq për të raportuar dhunën e ushtruar ndaj saj.
Burimet bëjnë të ditur se ajo ka deklaruar para hetuesve se bashkëshorti i saj, F. B (23-vjeçar), e kishte sulmuar fizikisht duke e zvarritur për flokësh.
Pas denoncimit, Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe e ka shoqëruar në Stacionin Policor në Obiliq.
Sinjali mëson se në momentin e arrestimit ai dyshohet se ndodhej nën ndikim të alkoolit.
Me urdhër të Prokurorit për dhunë në familje, 23-vjeçari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


