Prokuroria e Tiranës ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj këngëtarit Jozefin Marku dhe Kristjan Nikollit, të arrestuar në lidhje me dhunimin e 26-vjeçarit Eduard Kuçi.
Prokurori i çështjes e dorëzoi të hënën në Dhomën Penale të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës kërkesën për caktimin e masës ndaj dy të dyshuarve.
Marku dyshohet për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, ndërsa katër akuza të tjera ndaj tij janë ende në proces verifikimi.
Nikolli dyshohet se e drejtonte automjetin “Land Rover” të përdorur gjatë ngjarjes. Ndaj tij rëndojnë edhe akuzat për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, bombave, minave dhe municionit”.
Gjatë kontrollit në banesën e Nikollit, Policia sekuestroi një sasi municioni. Po ashtu, u sekuestrua edhe automjeti që dyshohet se ishte përdorur gjatë dhunimit.
Sipas Policisë, Marku dhe Nikolli, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se e kanë dhunuar Kuçin me pretendimin se ai kishte fyer këngëtarin në rrjetet sociale.
Për rastin janë shpallur në kërkim edhe A.H., 48 vjeç, dhe K.V., 27 vjeç. Hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që dyshohet se morën pjesë në ngjarje.
Gjykata pritet të vendosë për masën e sigurisë në një seancë që, sipas procedurës, duhet të mbahet brenda 48 orëve nga paraqitja e kërkesës së Prokurorisë dhe do të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Ndërkohë, Eduard Kuçi është intervistuar nga Policia, ndërsa materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


