Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të zhvillojë sot biseda telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Telefonatat vijnë pasi të dërguarit e Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, zhvilluan gjatë fundjavës takime me dy liderët në Moskë dhe Kiev.
Një zyrtar tha për “Kyiv Independent” se Trump fillimisht do të konsultohet me Witkoffin dhe Kushnerin, më pas do ta telefonojë Putinin dhe në fund do të bisedojë me Zelenskyn.
Dy të dërguarit amerikanë udhëtuan fillimisht në Moskë, ku u takuan me presidentin rus. Një ditë më vonë, ata vizituan Kievin dhe u pritën nga presidenti ukrainas.
Këto përpjekje synojnë avancimin e negociatave për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se në bisedimet e zhvilluara në Moskë u diskutuan “plane thelbësore për hapat e mëtejshëm”, megjithëse palët nuk njoftuan për ndonjë përparim konkret.
Pas takimeve, Zelensky deklaroi se përpjekjet e fundit për paqe nuk pritet të sjellin përfundimin e shpejtë të luftës.
Ndërkaq, Kushner tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë t’u rikthehen negociatave trepalëshe me përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


