Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Hold on”, duke zbuluar një call center në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku dyshohet se kryhej veprimtari e mashtrimit kompjuterik.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Ndërhyrja erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se në katin e dytë të një objekti zhvillohej aktivitet i paligjshëm nëpërmjet një call center-i.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë Ernest Kurti, Amanti Jeshili, Eljo Dyrmishi dhe Marjo Myftari,
Sipas policisë, ata dyshohet se administronin këtë veprimtari dhe drejtonin grupet e punonjësve.
Gjatë kontrollit në ambientet e call center-it u konstatuan 49 punonjës, ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Policia sekuestroi 107 pajisje elektronike që dyshohet se përdoreshin për këtë aktivitet, konkretisht 94 kompjuterë, 11 telefona celularë dhe 2 iPad, si dhe materiale të tjera me interes për hetimin, shkruan Abcnews.al.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


