Më 4 prill i kaloi manadati presidentes, Vjosa Osmani. Në vendin e saj, derisa të zgjedhet presidenti i ri, erdhi tani ish-kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu.
E dështimi i Kuvendit për ta zgjedhur presidentin e ri, e çoi vendin drejt zgjedhjeve.
Megjithatë, ani pse Haxhiu është vetëm ushtruese e detyrës së presidentes, e qeveria tani veç në detyrë, partia në pushtet nisi “hallakatjen” e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës ane e mbanë botës.
Haxhiu ia ka tërhequr kredencialet ambasadorit të Kosovës në Misionin e Posaçëm në Vatikan, Vehbi Miftari, dy vjet pas dërgimit të tij në këtë mision. Miftari ishte emëruar ambasador në selinë e shenjë më 26 janar të 2024-ës, pas përvojës 3-vjeçare si këshilltar politik i Osmanit.
Kiks Kosova ka mësuar që në vendin e Miftarit, Haxhiu ka emëruar ambasador në Vatikan, Ruzvelt Frrokajn.
E kjo nuk është ambasada e vetme e cila pësoi ndryshime me të marrë Vetëvendosje karrigen e presidentit.
Pa u bërë muaji si ushtruese e detyrës së presidentes, Kiksi ka mësuar se Albulena Haxhiu ka shkarkuar edhe Lirie Berishën, ambasadoren e Kosovës në Tajlandë.
E “fshisës” së Vetëvendosjes nuk i shpëtuan as konsulatat. Emisioni ka kuptuar se ushtruesja e detyrës së presidentes e ka shkarkuar edhe Suzan Novobërdaliun, shefen e konsulatës së Republikës së Kosovës në Stamboll.
Për tri javë, Haxhiu bëri edhe zëvendësim të ambasadorëve dhe ndërrim të vendeve ku ishin për mision diplomatik.
Heroina Telaku u largua nga pozita si ambasadore në Panama dhe u dërgua në Kolumbi. Ndërkaq, në vendin e saj në Panama nga Bangladesh, u zhvendos Enis Xhemjali.
Kiksi ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në adresë të Zyrës së Presidentes se pse janë bërë këto shkarkime dhe zëvendësime, por deri në transmetimin e kësaj kronike, as njëra e as tjetra nuk ktheu përgjigje.


