Shkuan në Polici për t’u ankuar për një tiketë. Më pak se 24 orë më vonë, babë e bir përfunduan vetë në ndalim policor, nën dyshimet për sulm ndaj një zyrtari policor.
Në mes të këtyre dy momenteve, ngjarja mori edhe një kthesë tjetër: 17-vjeçari dyshohet se dëmtoi grilat e një dritareje dhe u largua nga stacioni policor ku ishte sjellë për t’u intervistuar.
Sinjali ka siguruar detaje të reja për rastin që nisi pasditen e 10 shtatorit në Prizren dhe përfundoi sot me ndalimin për 48 orë të Agim Çoçajt dhe djalit të tij, Lendrit Çoçaj.
Gjithçka, sipas informacioneve që ka Sinjali, nisi nga një tiketë trafiku.
Babë e bir kishin shkuar rreth orës 18:25 në Stacionin e Trafikut Rajonal në rrugën “Hasan Prishtina”, me qëllim që të paraqisnin ankesë ndaj tiketës.
Aty u ishte thënë se ankesën nuk mund ta bënin atë mbrëmje dhe se për këtë duhej të paraqiteshin të nesërmen në mëngjes.
Nga një procedurë rutinore, situata dyshohet se eskaloi brenda pak minutash.
Sipas të dhënave të rastit, Agim dhe Lendrit Çoçaj dyshohet se janë revoltuar dhe kanë shfaqur sjellje arrogante ndaj zyrtarit policor.
Më pas ndodhi ajo që bëri që nga një ankesë për tiketë të hapej një rast penal.
Njëri prej tyre dyshohet se e sulmoi fizikisht policin.
Situata ka bërë që ekipi kujdestar i Trafikut të kërkonte asistencë, ndërsa patrullat policore në terren janë nisur drejt stacionit.
Megjithatë, babë e bir ishin larguar nga aty pa u arrestuar.
Polici që dyshohet se u sulmua ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa Policia ka identifikuar dy personat dhe ka nisur kërkimin e tyre. Ata janë kërkuar edhe në shtëpi, por nuk janë gjetur.
Të gjitha patrullat në terren ishin njoftuar që, në rast se i lokalizonin, t’i shoqëronin në stacion.
Historia nuk përfundoi aty
Në orët që pasuan, rasti mori një kthesë tjetër.
Sipas të dhënave policore që ka siguruar Sinjali, Lendrit Çoçaj ishte sjellë më vonë në stacion policor, ku po pritej ardhja e Hetimeve Rajonale për ta intervistuar lidhur me dyshimet për sulmin ndaj policit.
Por intervistimi nuk shkoi sipas planit.
Derisa ndodhej brenda stacionit, 17-vjeçari dyshohet se hapi dritaren e dhomës, dëmtoi grilat dhe arriti të largohej nga objekti policor.
Patrullat u njoftuan sërish për ta kërkuar.
Ky veprim prodhoi edhe një rast të dytë penal: me udhëzim të Prokurorit u iniciua procedurë për “Asgjësim apo dëmtim të pronës” së Policisë së Kosovës.
Sot, ora 13:00 – sigurohet prezenca e të dyve
Saga që kishte nisur me tiketën mori një drejtim tjetër sot, më 11 shtator.
Rreth orës 13:00, Policia ka arritur të sigurojë prezencën e të dyshuarve.
Agim dhe Lendrit Çoçaj janë intervistuar në praninë e avokatëve të tyre mbrojtës.
Asnjëri nuk ka dhënë deklaratë.
Të dy kanë ushtruar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje lidhur me veprën për të cilën dyshohen.
Pas intervistimit, Prokuroria Themelore në Prizren ka marrë vendim që babë e bir të ndalohen për 48 orë.
Hetimet tashmë duhet të zbardhin edhe një element thelbësor që raporti policor nuk e individualizon: cili prej të dyve dyshohet se e sulmoi fizikisht zyrtarin policor.
Deri atëherë, Agim dhe Lendrit Çoçaj mbeten të dyshuar për rastin “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa ndaj 17-vjeçarit rëndon edhe rasti i veçantë për dëmtimin e pronës policore.
Një tiketë që duhej të ankimohej të nesërmen në mëngjes, brenda pak orësh u shndërrua në dy raste penale, kërkim policor dhe përfundimisht në ndalimin e babait dhe djalit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


