
Avokati serb, Çedomir Stojkoviq ka njoftuar se të hënën do të dorëzojë një kërkesë zyrtare për hetime pranë Prokurorisë së Krimeve të Luftës dhe Zyrës së Prokurorit për Krim të Organizuar, lidhur me dyshimet për pjesëmarrjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të ashtuquajturin “Safari i Snajperëve” gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.
Sipas Stojkoviq, gjatë rrethimit të Sarajevës, civilë boshnjakë u vriteshin me snajper nga persona të sjellë si “turistë lufte”, të cilët paguanin deri në 100 mijë euro për të marrë pjesë në këtë aktivitet makabër.
Ai thotë se ekzistojnë prova të mjaftueshme që tregojnë se kjo gjueti e organizuar u krye përmes Beogradit dhe se Vuçiq ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt.
Në një postim në rrjetin social Facebook, avokati theksoi se nuk ka arsye që vetëm prokuroria në Milano të hetojë rastin, ndërsa organet serbe të drejtësisë që ndodhen “vetëm tri kilometra larg Vuçiqit” të qëndrojnë pasive.
Ai kërkon që Prokuroria e Beogradit t’i bashkohet hetimit dhe të përfshijë të gjithë të dyshuarit, përfshirë presidentin serb.
Stojkoviq rikujtoi deklaratat e Vuçiqit në vitin 1994, kur ai kishte thënë se ishte dërguar vullnetar në pjesën serbe të Sarajevës, duke qëndruar edhe në Varrezat Hebraike — një prej lokacioneve që dëshmitarët e përshkruajnë si pikë nga ku snajperët vrisnin civilë.
Ai përmend gjithashtu deklarimet e Voisllav Sheshelit në Gjykatën e Hagës, i cili kishte thënë se Vuçiq ishte pjesë e njësisë së komanduar nga Sllavko Aleksiq, ku ishte aktiv edhe një grup rus i përfshirë në “Safarin e Snajperëve”.
Avokati thekson se ekzistojnë video të viteve ’90 ku Vuçiq shihet me një armë që “i ngjan një pushke snajperi”.
Më tej përmend edhe pjesëmarrjen e Zllatko Novakoviq, i njohur si Zak Novak, i cili sipas tij ka qenë pjesë e së njëjtës njësi dhe që së fundmi është parë duke kërcënuar protestues në Beograd.
Stojkoviq ngriti publikisht pyetje që Vuçiq, sipas tij, duhet t’i përgjigjet: çfarë roli ka pasur në atë kohë, çfarë objektivash ka pasur ndërsa mbante armën, dhe a ishte i vetëdijshëm se ushtria serbe po organizonte një “gjueti për civilë”.
Ai kujtoi edhe deklaratën famëkeqe të Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë gjatë viteve të luftës: “Për çdo serb të vrarë, do të vrasim 100 boshnjakë.”
Sipas avokatit, kjo duhet të shërbejë si pjesë e analizës së përgjegjësisë së presidentit serb për krimet e kryera në Sarajevë./Telegrafi/


