Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur të premten sanksione të reja ndaj tri subjekteve me seli në Turqi, të cilat dyshohet se kanë lidhje me Iranin.
Krahas sanksioneve, Departamenti i Thesarit ka lëshuar edhe masa për ndërprerjen e transaksioneve me subjektet e përfshira në listën e zezë.
Ky është veprimi më i fundit i administratës së presidentit Donald Trump në kuadër të fushatës për rritjen e presionit ekonomik ndaj Teheranit, gjashtë muaj pas nisjes së luftës me Iranin.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, kishte paralajmëruar muajin e kaluar një “sulm ekonomik” ndaj rrjeteve financiare të Iranit në mbarë botën, duke thënë se synimi i Uashingtonit është ta detyrojë Teheranin të rikthehet në tryezën e negociatave.
Javën e kaluar, SHBA-ja ndërmori masa edhe ndaj degëve të bankës egjiptiane Banque Misr në Emiratet e Bashkuara Arabe, për shkak të lidhjeve të tyre me Iranin.
Bessent ka paralajmëruar gjithashtu se Departamenti i Thesarit mund të publikojë sanksione të reja dytësore çdo javë, me fokus fillestar te bankat dhe institucionet financiare, në kuadër të intensifikimit të presionit ekonomik ndaj Iranit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


