Edicioni i katërt i “Gjakova Trail” këtë të diel u shndërrua edhe në një aktivitet me mesazh për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Në garën që mblodhi vrapues nga trojet shqiptare, pjesëmarrësit garuan në distancat 12 dhe 21 kilometra, ndërsa në mesin e tyre ishte edhe Nexhat Hajdari, bashkë me anëtarë të Klubit “Gërmia 555”.
Vrapimi i tyre kishte edhe një simbolikë të veçantë. Sipas organizatës “Liria ka Emër”, e cila e ka bërë të ditur këtë aktivitet, kilometrat u përshkuan në shenjë mbështetjeje për ata që, siç thuhet, luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e Kosovës dhe që sot po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Nga shtigjet e Gjakovës, mesazhi i tyre ishte se përtej garës sportive, aktiviteti shërbeu edhe si një mënyrë për të ruajtur kujtesën dhe për të përcjellë mbështetje për çlirimtarët.
“Për lirinë. Për kujtesën. Për dinjitetin. Për çlirimtarët”, thuhet në mesazhin e publikuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


