Sunday, September 13, 2026
spot_img
HomeLajme16 shtatori, dita e vendimit të Hagës – Policia me plan të...

16 shtatori, dita e vendimit të Hagës – Policia me plan të veçantë operacional

Policia e Kosovës ka përgatitur një plan të veçantë operacional për 16 shtatorin, ditën kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Sipas informacioneve të Gazetës Sinjali, masat e sigurisë do të nisin që nga 15 shtatori, kur do të ndërpriten pushimet vjetore për zyrtarët policorë që ndodhen brenda Kosovës, ndërsa kërkesat e reja për pushim nuk do të aprovohen.

Më 16 shtator, një numër i njësive policore do të punojnë me orar 12-orësh, ndërsa në Prishtinë do të aktivizohen tri togje rezervë.

Përforcime në kryeqytet do të dërgohen edhe nga Gjilani, Ferizaj, Prizreni, Gjakova, Peja dhe Mitrovica e Jugut. Njësitë do të jenë të pajisura me pajisje për menaxhimin e turmave.

Në Prishtinë do të angazhohen edhe operatorë të Njësisë për Reagim të Shpejtë nga gjashtë rajone policore.

Masa të veçanta sigurie janë paraparë edhe pranë objekteve të rëndësisë së veçantë dhe përfaqësive ndërkombëtare, përfshirë Ambasadën e SHBA-së, Zyrën e BE-së, Zyrën e Këshillit të Evropës dhe disa përfaqësi diplomatike.

Patrullime shtesë do të ketë edhe pranë gjykatave dhe prokurorive.

Për 16 shtatorin është paraparë gjithashtu që një ekip i zjarrfikësve, bashkë me një kamion për fikjen e zjarrit, të vendoset në parkingun e brendshëm të EULEX-it në Zonën Industriale të Prishtinës, nga ora 10:00.

Plani parasheh edhe shtim të patrullimeve në zonat me popullatë të përzier, ndërsa inteligjenca policore do të angazhohet maksimalisht për mbledhjen e informacioneve.

Masat e shtuara të sigurisë lidhen me pritjet për organizime publike në Prishtinë gjatë ditës së shpalljes së aktgjykimit në Hagë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT