Nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala, i cili sot u zgjodh edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se Qeveria Kurti 4 është jokushtetuese.
Shala ka argumentuar se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti është zgjedhur nga një Kuvend që, në momentin e votimit, sipas tij, nuk ishte konstituuar plotësisht.
“Qeverinë e zgjodhi një Kuvend i pakonstituuar, prandaj ajo nuk është një qeveri kushtetuese”, ka thënë Shala në një prononcim për Gazetën Express.
Sipas tij, Kushtetuta përcakton se Kuvendi konsiderohet i konstituuar pas zgjedhjes së kryetarit dhe të gjithë nënkryetarëve.
Shala sot mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit, përfshirë edhe votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Lidhur me këtë, ai ka thënë se vota e VV-së për të nuk nënkupton se ka ndryshuar qëndrim.
“Vota e VV-së për mua tregon se subjekti i Kurtit ka ndryshuar qëndrim e jo unë”, ka deklaruar Shala.
Ndërkohë, PDK-ja ka pezulluar kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit dhe ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas votimit të nënkryetarëve ka deklaruar se Kuvendi tashmë konsiderohet i konstituuar.
Ndryshe, Shala ishte një nga gjashtë deputetët e LDK-së që kundërshtuan marrëveshjen mes Lumir Abdixhikut dhe Albin Kurtit për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


