Pasi rezultatet preliminare e renditën Vetëvendosjen si forcën e parë politike me 42.91 për qind të votave, Albin Kurti u shpreh i gatshëm të diskutonte bashkëpunimin me partitë opozitare. Me 48 mandate të fituara në atë fazë, ai nuk kishte numrat e nevojshëm për të formuar i vetëm qeverinë, e aq më pak për të siguruar zgjedhjen e Presidentit.
Mbrëmjen e 7 qershorit, teksa mbështetësit festonin rezultatin fillestar, Kurti la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me të gjitha subjektet politike.
“Natyrisht, në javët në vijim do të komunikojmë, do të zhvillojmë takime dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politike të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.
Megjithatë, panorama ndryshoi pas përfundimit të numërimit të votave nga diaspora. Këto vota i sollën Vetëvendosjes edhe pesë mandate shtesë, duke e çuar në 53 deputetë. Ky rezultat, së bashku me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joserbe, i krijon shumicën minimale prej 61 votash për formimin e ekzekutivit.
Si rrjedhojë, ndryshoi edhe qasja e Kurtit ndaj bashkëpunimit me opozitën. Në vend të një partneriteti për krijimin e qeverisë, ai e kufizoi nevojën për mbështetje vetëm te procesi i zgjedhjes së Presidentit.
“Sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes, kjo është një çështje që nuk mund ta realizojmë vetëm, pasi për kuorumin kërkohen 80 deputetë në sallë, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.
Duke iu referuar rezultateve pothuajse përfundimtare, analistët vlerësojnë se vota e diasporës pati ndikim vendimtar, pasi i dha Vetëvendosjes mundësinë të shmangë nevojën për një koalicion qeverisës që do të shërbente edhe për zgjedhjen e Presidentit.
Profesori i shkencave politike, Basri Muja, theksoi se diaspora ndikoi ndjeshëm në rezultatin final, duke ia rritur hapësirën manovruese Kurtit në negociatat për postin e Presidentit. Sipas tij, nëse Vetëvendosja do të kishte më pak mandate, do të ishte pothuajse e detyruar të hynte në një marrëveshje koalicioni që do të siguronte edhe qeverinë, edhe zgjedhjen e kreut të shtetit.
Në këto rrethana, kur çështja kryesore mbetet posti i Presidentit, njohësit e zhvillimeve politike nuk e përjashtojnë mundësinë që vendi të përballet sërish me zgjedhje të reja pas disa muajsh.
Sipas Blerim Canajt, duke parë retorikën politike dhe ndarjet e theksuara mes partive, arritja e një konsensusi për Presidentin pritet të jetë e vështirë, gjë që mund ta çojë vendin drejt një procesi tjetër zgjedhor.
Pas numërimit të pothuajse të gjitha votave, Vetëvendosja ka siguruar 53 mandate, PDK 22, LDK 18, ndërsa Aleanca 7 ulëse në Kuvend.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


