Dusan Vlahovic duket se ka humbur durimin duke pritur për Barcelonën dhe tashmë ka vendosur për të ardhmen e tij.
Sulmuesi serb e kishte prioritet kalimin te Barcelona gjatë gjithë afatit kalimtar të verës, madje kishte refuzuar edhe një ofertë joshëse nga Besiktasi, duke shpresuar se katalanasit do të bënin një lëvizje për të.
Megjithatë, Barcelona nuk e kishte Vlahovicin në mesin e objektivave të saj kryesore dhe kjo e ka shtyrë sulmuesin të marrë një vendim për të ardhmen.
Sipas mediumit turk “Haberler”, i cili i referohet gazetës italiane “Corriere dello Sport”, Vlahovic ka arritur marrëveshje me Besiktasin për një kontratë trevjeçare, pas negociatave intensive gjatë orëve të fundit.
Klubi turk pritet t’i paguajë sulmuesit serb 8 milionë euro në vit, ndërsa kjo shumë mund të shkojë deri në 10 milionë euro në sezon, në varësi të bonuseve dhe objektivave të arritura.
Vlahovic kishte kërkuar kohë për ta shqyrtuar ofertën e Besiktasit, e cila përfshinte edhe një bonus nënshkrimi prej më shumë se 5 milionë eurosh, përveç pagës neto prej 8 milionë eurosh në vit. Sulmuesi donte fillimisht të shihte nëse Barcelona do të bënte ndonjë lëvizje.
Përfaqësuesit e tij ia kishin ofruar Vlahovicin Barcelonës që në fillim të afatit kalimtar. Megjithatë, drejtuesit e klubit katalanas e kishin bërë të qartë se serbi nuk ishte prioritet, veçanërisht për shkak të kërkesave të tij të larta financiare: 10 milionë euro bonus nënshkrimi dhe 8 milionë euro pagë neto në vit.
Me Barcelonën që nuk ndërmori asnjë hap konkret, Vlahovic tashmë duket se ka marrë vendimin përfundimtar.
Ai është shumë pranë transferimit te Besiktasi, duke i dhënë fund pritjes së gjatë për një kalim te Barcelona, ëndërr që nuk u realizua.
Besiktasi pritet të përfundojë edhe formalitetet e fundit me sulmuesin, i cili është lojtar i lirë pasi i ka skaduar kontrata me Juventusin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


