Një raportim për një transferim të mundshëm të yllit gjerman Jamal Musiala te Galatasaray ka marrë një kthesë të papritur në Turqi.
Gazetari sportiv turk Burhan Can Terzi është ndaluar nga autoritetet në Stamboll, pas një hetimi të nisur lidhur me pretendimet e tij se Galatasaray kishte arritur marrëveshje për transferimin e Musialas nga Bayern Munich.
Sipas gazetës spanjolle “Marca”, Terzi u mor në pyetje të martën në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Bakırköyt, nën dyshimin për “përhapje publike të informacionit mashtrues”.
Gazetari kishte insistuar vazhdimisht se informacioni i publikuar prej tij ishte i saktë. Ai kishte raportuar se Galatasaray e kishte mbyllur marrëveshjen për Musialan, por klubi turk e kishte mohuar zyrtarisht një gjë të tillë.
Pavarësisht reagimit të Galatasarayt, Terzi nuk e tërhoqi raportimin. Ai deklaroi se kishte marrë informacione nga disa burime që tregonin se Musiala mund të transferohej te gjiganti turk.
Madje, gazetari kishte thënë se ishte i vetëdijshëm që Galatasaray mund ta mohonte marrëveshjen, por kishte zgjedhur t’u qëndronte burimeve të tij, duke vënë në pikëpyetje edhe reputacionin e tij profesional nëse informacioni do të rezultonte i pasaktë.
Gjatë hetimeve, Terzi përmendi biznesmenin turk Oktay Ercan, pronarin e klubit belg Westerlo, si personin që, sipas tij, i kishte dhënë informacionet rreth një lëvizjeje të mundshme të Musialas drejt Galatasarayt.
Pas ndalimit në Stamboll, gazetari dha deklaratën e tij para autoriteteve dhe më pas u lirua.
Ndalimi i tij nuk përbën dënim gjyqësor, por është pjesë e procedurave të hetimit. Terzi aktualisht është jashtë paraburgimit, ndërsa hetimet për pretendimet e publikuara prej tij vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


