Tuesday, August 4, 2026
spot_img
HomeLajme“VITA” reagon ndaj Mujës dhe AUVK-së: Ministri publikoi të dhëna, por jo...

“VITA” reagon ndaj Mujës dhe AUVK-së: Ministri publikoi të dhëna, por jo rezultatet e analizave

Qumështorja “VITA” ka reaguar pas konferencës së Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK), duke kundërshtuar deklaratat e bëra nga ministri Armend Muja.

Në reagimin e saj, “VITA” ka thënë se të dhënat e prezantuara gjatë konferencës nuk përbëjnë rezultatet e analizave të mostrave të produkteve të kompanisë.

Sipas kompanisë, informacionet e prezantuara nga ministri Muja mund të gjenden në institucionet përkatëse, përfshirë Administratën Tatimore të Kosovës, Doganën e Kosovës dhe AUVK-në, ndërsa rezultatet e analizave laboratorike, sipas saj, nuk janë publikuar.

“Rezultatet e analizave të mostrave nuk u publikuan! Ne jemi të bindur që të gjitha produktet tona janë të etiketuara në përputhje me dispozitat ligjore. Sidoqoftë, Ministria dhe AUVK duhet të dalin dhe t’i publikojnë rezultatet e analizave të mostrave, të cilat tash e 33 ditë nuk po na i dërgojnë dhe tanimë janë edhe në shkelje ligjore”, thuhet në reagimin e “VITA”-s.

Kompania ka ftuar Ministrinë e Bujqësisë dhe AUVK-në që t’i publikojnë menjëherë rezultatet e analizave të mostrave.

Sa i përket pretendimeve për furnizimin me ujë dhe numrin e punëtorëve, “VITA” ka deklaruar se është e pajisur me leje ujore dhe impiant për trajtimin e ujërave të ndotura.

Ndërsa lidhur me numrin e punëtorëve, kompania ka thënë se të dhënat janë të deklaruara në Administratën Tatimore të Kosovës.

“VITA” ka theksuar se të gjitha produktet e saj janë prodhim nga qumështi i freskët i fermerëve kosovarë dhe se kompania është lider në industrinë e qumështit.

Në fund të reagimit, kompania i ka bërë thirrje ministrit Armend Muja që të ndalojë, siç e ka cilësuar ajo, “shpifjet”, dhe të publikojë vetëm të dhëna të verifikuara.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT