Videoklipi i reperit nga Kosova, Don Xhoni, i xhiruar në monumentin kulturor “Makedonium” në Krushevë, ka nxitur reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut dhe ka çuar deri te dorëheqja e drejtorit të Institucionit Kombëtar Muzeu Historik në Krushevë.
Videoklipi i këngës “Sexy Mama” u publikua rreth tre muaj më parë dhe ka grumbulluar miliona shikime, ndërsa reagimet kanë nisur ditët e fundit, pasi pamjet e xhiruara në “Makedonium” u përhapën në rrjetet sociale. Monumenti është trashëgimi kulturore e mbrojtur e shtetit të Maqedonisë së Veriut.
Në lidhje me rastin ka reaguar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili ka bërë të ditur se do t’i kërkojë ministrit të Kulturës dhe Turizmit shkarkimin e drejtorit dhe të Bordit Drejtues të institucionit që menaxhon monumentin.
“Ajo që ndodhi atje ishte diçka që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Do t’i kërkoj ministrit të Kulturës dhe Turizmit të shkarkojë drejtorin e atij institucioni, së bashku me Bordin Drejtues, pasi institucione të tilla nuk duhet të keqpërdoren për qëllime të këtij lloji”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri u kërkoi falje qytetarëve për këtë lëshim dhe tha se do të punohet për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme.
Pas deklaratës së Mickoskit, drejtori i Institucionit Kombëtar Muzeu Historik në Krushevë, Miha Oxhaklieski, njoftoi dorëheqjen e parevokueshme nga detyra.
Oxhaklieski tha se dorëheqja e tij është akt personal, moral dhe etik, si dhe shprehje e përgjegjësisë ndaj institucionit dhe publikut.
Megjithatë, ai theksoi se në rastin konkret nuk është shkelur asnjë ligj, rregullore apo akt tjetër dhe se nuk është vepruar në kundërshtim me ndonjë vendim të miratuar nga Bordi Drejtues i institucionit.
Sipas tij, bëhet fjalë për një procedurë që ishte pjesë e një praktike tashmë të vendosur dhe të zbatuar më parë në institucion.
“Edhe pse nuk ka pasur qëllim për të shkelur ligjin, rregulloren apo ndonjë vendim, është bërë një lëshim i paqëllimshëm në vlerësimin e mënyrës se si një procedurë e caktuar mund të kuptohet nga publiku. Për këtë ndiej përgjegjësi morale dhe për këtë arsye e paraqes dorëheqjen”, thuhet në dorëheqjen e Oxhaklieskit.
Sipas raportimeve në Maqedoninë e Veriut, hapësira e “Makedoniumit” iu dha me qira produksionit për xhirimet e videoklipit për rreth 500 euro, për një periudhë prej pesë deri në gjashtë orë.
Ndërkohë, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, ka deklaruar se drejtorët duhet të jenë të kujdesshëm kur japin objekte të tilla me qira dhe se ministria është duke mbledhur informacione për rastin.
Rasti ka shkaktuar debat në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht për mënyrën se si monumentet e mbrojtura kulturore mund të përdoren për xhirime dhe aktivitete komerciale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


