Reperi i njohur shqiptar, Don Xhoni, ka reaguar pas polemikave të krijuara në Maqedoninë e Veriut lidhur me xhirimin e videoklipit të këngës së tij “Sexy Mama” në monumentin “Makedonium” në Krushevë.
Videoklipi është xhiruar pjesërisht në ambientet e “Makedoniumit”, një monument që është pjesë e trashëgimisë kulturore të mbrojtur të Maqedonisë së Veriut. Rasti ka nxitur reagime të shumta në vend, ndërsa drejtori i Institucionit Kombëtar “Muzeu Historik – Krushevë”, Miha Oxhaklieski, ka dhënë dorëheqje nga detyra.
Në lidhje me debatin e krijuar, Don Xhoni ka reaguar përmes një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale, duke dhënë versionin e tij për xhirimet dhe duke mohuar se ka pasur qëllim të provokojë apo të ofendojë.
“Po e shoh qe “SEXY MAMA” koka bo debat i madh n’Maqedoni t’Veriut. Sa per sqarim: as une, as ekipi jem nuk kem pase asni qellim me provoku, me ofendu apo me ule vleren e asni vendi apo simboli”, ka deklaruar Don Xhoni.
Ai ka thënë se lokacioni është zgjedhur nga produksioni si pjesë e skenarit të videoklipit dhe se nuk ka pasur ndonjë mesazh të fshehtë pas zgjedhjes së tij.
“Ai lokacion u kanë thjesht pjese e skenarit edhe o zgjedh prej produksionit. Nuk ka pase asni mesazh t’msheft, asni tendence me provoku edhe asni qellim tjeter pertej artit”.
Reperi ka folur edhe për ndikimin që, sipas tij, ka emri i tij në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe në rajon.
“Unë e di shumë mirë sa peshë ka emri “DON XHON” sot n’Kosove, Shqipni, Maqedoni, … e n’krejt Ballkanin. Jam prej gjenerates ma t’re, po me ndikimin ma t’madh n’industri t’rajonit. Kur edhe ni lokacion n’videoklip mjafton me u bo lajm e debat, kjo veq tregon sa larg ka shku emri edhe muzika jem”.
Don Xhoni ka përsëritur se përdorimi i “Makedoniumit” ka qenë pjesë e një projekti artistik dhe se nuk ka pasur synim të krijojë polemika për të tërhequr vëmendje.
“Unë boj muzike. Boj art. Boj filma t’shkurt permes videoklipeve t’mia. Asni tendencë. Asni provokim. Veq ni skenar, ni lokacion dhe ni projekt artistik. Nuk kom nevoje me kriju provokime per me marre vemendje”.
Në fund, reperi ka thënë se vëmendjen e ka të mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për drama.
“Trust me, vemendjen edhe ma shume se sa du e kom, no need for drama!DON XHONI”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


