Wednesday, September 30, 2026
spot_img
HomeLajmeSHBA-ja dhe Britania largojnë trupat e fundit nga Iraku, merr fund misioni...

SHBA-ja dhe Britania largojnë trupat e fundit nga Iraku, merr fund misioni 12-vjeçar kundër ISIS-it

Trupat e fundit amerikane dhe britanike janë larguar nga Iraku, duke i dhënë fund misionit ushtarak të koalicionit ndërkombëtar kundër grupit ekstremist Shteti Islamik (IS), pas më shumë se një dekade prani në vend.

Rreth 100 pjesëtarë të ushtrisë britanike u larguan nga Erbili, në rajonin verior të Kurdistanit, në një proces të koordinuar gjatë javëve të fundit me forcat amerikane. Edhe trupat amerikane përfunduan të mërkurën tërheqjen nga baza ajrore në Erbil.

Tërheqja është bërë në kuadër të marrëveshjes së arritur në vitin 2024 mes Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë irakiane, e cila parashikonte përfundimin gradual të misionit të koalicionit dhe largimin e forcave të saj nga Iraku deri në fund të shtatorit.

Forcat amerikane dhe britanike ishin pjesë e koalicionit ndërkombëtar të krijuar në vitin 2014 për të luftuar IS-in. Operacioni “Inherent Resolve” kishte për qëllim mbështetjen e forcave irakiane dhe kurde përmes operacioneve ushtarake, trajnimit dhe ngritjes së kapaciteteve.

Qeveria irakiane shpalli mposhtjen ushtarake të IS-it në vitin 2017, por forcat e koalicionit vazhduan të qëndronin në vend për të ndihmuar në parandalimin e rikthimit të grupit.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, e cilësoi largimin nga Erbili si përfundim të suksesshëm të misionit ushtarak që, sipas tij, e mposhti IS-in si kërcënim të organizuar ushtarak në Irak.

Ndërkohë, kryeministri irakian, Ali al-Zaidi, ka deklaruar se përfundimi i misionit të koalicionit shënon kalimin e Irakut në një fazë të re, në të cilën vendi merr përgjegjësinë e plotë për sigurinë dhe stabilitetin e tij.

Iraku ka shpallur katër “Ditë të Sovranitetit” për të shënuar tërheqjen e trupave të huaja dhe përfundimin e misionit të koalicionit.

Megjithatë, largimi i trupave amerikane dhe britanike vjen në një moment kur Bagdadi përballet me sfida të tjera të sigurisë. Përveç rrezikut të rikthimit të qelizave të IS-it, qeveria irakiane duhet të përballet me milicitë e mbështetura nga Irani dhe planet për vendosjen e të gjitha armëve nën kontrollin e shtetit.

Misioni ushtarak i koalicionit në Irak ka përfunduar, ndërsa bashkëpunimi i sigurisë mes Irakut dhe vendeve të koalicionit pritet të vazhdojë në një formë të re. SHBA-ja ka zhvendosur strukturën e misionit nga Iraku, ndërsa operacionet kundër IS-it në Siri vazhdojnë nga jashtë territorit irakian.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT