Wednesday, September 30, 2026
spot_img
HomeLajmeAktgjykim rekord në Speciale: 2,089 faqe për ish-krerët e UÇK-së, ende pa...

Aktgjykim rekord në Speciale: 2,089 faqe për ish-krerët e UÇK-së, ende pa versionin shqip dhe jo gati për publikun

Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka vendosur që të shtyjë afatin për paraqitjen e njoftimit për apel nga Mbrojtja në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Paneli, i caktuar më 22 shtator nga Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, përbëhet nga gjyqtarja Michèle Picard, gjyqtari Kai Ambos dhe gjyqtarja Nina Jørgensen.

Sipas rregullave, njoftimi për apelim duhej të paraqitej më së largu më 16 tetor, pra 30 ditë pas shpalljes së aktgjykimit. Megjithatë, Paneli i Apelit e ka konsideruar të arsyeshme kërkesën për shtyrje dhe ka caktuar 27 nëntorin 2026 si afatin e fundit për paraqitjen e njoftimeve për apel.

Vendimi i 29 shtatorit vlen jo vetëm për Mbrojtjen, por edhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, e cila do të ketë të njëjtin afat për të paraqitur njoftimin për apel.

Në vendimin e tij, Paneli i Apelit ka renditur edhe arsyetimet e Mbrojtjes dhe Prokurorisë lidhur me kërkesën për shtyrjen e afatit.

Mbrojtja kishte konsideruar se “gjatësia dhe kompleksiteti i pashembullt i Aktgjykimit përbëjnë arsye të vlefshme për zgjatjen e afatit të kërkuar”.

Përveç kësaj, sipas këndvështrimit të Mbrojtjes, mungesa e një përkthimi në gjuhën shqipe të Aktgjykimit dhe pamundësia e të akuzuarve për ta lexuar atë në gjuhën angleze përbëjnë një tjetër sfidë që favorizon miratimin e zgjatjes së afatit të kërkuar.

Mbrojtja ka argumentuar se është e detyruar të ndajë burime të konsiderueshme për procesin e përkthimit, gjë që ndikon në aftësinë e saj për të përgatitur njoftimin e apelit.

Paneli i Apelit ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që, brenda 10 ditësh nga marrja e vendimit për shtyrjen e afatit, të raportojë lidhur me përkthimin e Aktgjykimit në gjuhën shqipe dhe të paraqesë datat e pritshme se kur përkthimi paraprak, i pa rishikuar, dhe përkthimi zyrtar përfundimtar i Aktgjykimit do të jenë në dispozicion.

Në arsyetimin e tij, Apeli ka theksuar edhe kompleksitetin e çështjes. Sipas vendimit, dënimi i krerëve të UÇK-së nga Trupi Gjykues i Shkallës së Parë përfshin një numër të madh vendngjarjesh të krimeve dhe incidentesh të kryera në territorin e 16 komunave, në gjashtë zona operative të UÇK-së në Kosovë, si dhe në pjesë të caktuara të Shqipërisë së Veriut, ndërmjet të paktën prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999.

“Trupi Gjykues gjithashtu vëren gjatësinë e Aktgjykimit të Gjykimit, përkatësisht 2,089 faqe – aktgjykimi më i gjatë i nxjerrë ndonjëherë nga Dhomat e Specializuara – si dhe kompleksitetin e konsiderueshëm të kësaj çështjeje, që rrjedh, ndër të tjera, nga shtrirja e Aktakuzës dhe rolet udhëheqëse të të Akuzuarit të pretenduara në Aktakuzë”, shkruan Apeli.

Vendimi tregon gjithashtu edhe fazat nëpër të cilat do të kalojë aktgjykimi para se versionet e redaktuara të jenë të qasshme për publikun.

Në Kosovë ka pasur kritika lidhur me mënyrën e shpalljes së aktgjykimit, veçanërisht për shkak të mungesës së prezantimit të plotë të fakteve gjatë shpalljes së tij.

“Përveç kësaj, Trupi Gjykues vëren se Trupi Gjykues i Shkallës së Parë gjithashtu urdhëroi ZPS-në që deri më 7 tetor 2026 të shpërndajë një version të propozuar të redaktuar të Aktgjykimit të Gjykimit dhe Palët dhe Pjesëmarrësit që të zhvillojnë diskutime lidhur me redaktimet e propozuara deri më 19 tetor 2026”, thuhet në vendim.

Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit u shpall më 16 shtator 2026. Dhomat e Specializuara i dënuan Thaçin me 25 vjet, Veselin me 18 vjet, Selimin me 13 vjet dhe Krasniqin me 25 vjet burgim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT