Saturday, October 3, 2026
spot_img
HomeLajmeVendosi “bombë” false në një kuti dhe e la në karburant, kërkoi...

Vendosi “bombë” false në një kuti dhe e la në karburant, kërkoi edhe 50 mijë euro – arrestohet 21-vjeçari në Dibër

Një 21-vjeçar është arrestuar në Dibër pasi dyshohet se vendosi një pajisje të improvizuar në një karburant dhe kërcënoi se do ta shpërthente nëse nuk i paguheshin 50 mijë euro në kriptomonedha.

Ngjarja ka alarmuar autoritetet më 2 tetor, ndërsa Policia e Dibrës reagoi menjëherë dhe, brenda pak orësh, identifikoi dhe arrestoi të dyshuarin, duke finalizuar operacionin policor të koduar “Kërcënimi”.

Sipas Policisë, 21-vjeçari me inicialet E. K. dyshohet se rreth orës 14:30 kishte vendosur një kuti të dyshimtë në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh.

Kutia ishte e pajisur me ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar.

Mbi kuti ishte vendosur edhe një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e 50 mijë eurove, e cilësuar si “gjobë”. Sipas Policisë, pagesa duhej të kryhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi të kriptomonedhave dhe në adresën e përcaktuar nga autori.

Në letër, i dyshuari kërcënonte se pajisja do të shpërthente nëse shuma nuk paguhej brenda afatit të caktuar prej tij, nëse kutia do të lëvizte ose nëse do të njoftohej Policia apo persona të tjerë.

Për ta bërë kërcënimin më të besueshëm, ai pretendonte se kutia përmbante lëndë plasëse C4, ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe telekomandim, ndërsa ambienti monitorohej përmes kamerave.

Pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s në vendngjarje, kutia u hap dhe u kontrollua. Nga verifikimet rezultoi se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese.

Policia bën të ditur se E. K. është arrestuar në flagrancë dhe dyshohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT