Një bastisje e zhvilluar më 2 tetor në fshatin Hogosht të Kamenicës ka çuar në sekuestrimin e një arme zjarri dhe municionit.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 08:30, Njësia e Hetimeve në Kamenicë ka asistuar Hetimet Rajonale të Prizrenit në zbatimin e një urdhërkontrolli të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren.
Gjatë kontrollit në pronën e Misim Kastratit, 45-vjeçar, është gjetur një pushkë M48, kalibër 8×57 mm, si dhe katër fishekë të të njëjtit kalibër.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Kastrati është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


