Uniformën e Ushtrisë së Kosovës e mban me krenari, por paga që merr është e pamjaftueshme për ta mbajtur familjen.
Si shkak i kësaj, N.D nga Mitrovica u detyra të punojë edhe si taksist ilegal, jashtë orarit zyrtar të punës si pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Punën e dytë si taksist, ai thotë se e bëri për vite me radhë në relacionin Mitrovicë-Prishtinë.
Ani pse e dinte që një punë e tillë ishte ilegale, 47-vjeçari për KIKS-in tha se i duhej ta bënte patjetër në mënyrë që të përmbushte nevojat ekonomike e financiare si kryefamiljar.
Por, kjo punë që u detyra ta bënte, pjesëtarit të FSK-së nuk i kaloi pa probleme.
Një ditë kur N.D kishte shkuar të takonte shokët e tij taksitë, ai tha se një person nga kompanitë e autobusëve kishte filluar ta sulmonte me fjalë, duke kishin përfunduar edhe në përleshje fizike.
47-vjeçari për KIKS Kosovën tha se 23-vjeçari e sulmoi duke menduar që po ia merrte klientët e autobusit të linjës së tij.
I vetëdijshëm se puna si taksist me furgon është ilegale, N.D thotë se pranon dënime nga institucionet, mirëpo jo nga persona privat.
Pasi rasti shkoi deri në polici, 47-vjeçari për KIKS-in tha se është munduar për disa kohë që të shmangte kontaktin me personin në fjalë për t’iu ikë problemeve.
Ai thotë se vazhdoi të shmangte problemet me ta, derisa në një ditë shkurti të këtij viti, gjithçka filloi edhe një herë.
Derisa N.D kishte parkuar furgonin në një stacion dhe ishte në market, sipas tij, personat e njëjtë u afruan aty dhe kishin filluar t’ia sulmonin me fjalë të bijën që gjendej në mjetin transportues.
Ai thotë se ky ka qenë momenti më i keq në jetën e tij sepse ndihej duarlidhur, duke qenë se ishte e përfshirë edhe e bija e tij.
Pasi edhe kjo përleshje verbale kishte përfunduar në polici, 47-vjeçari tha se ishte detyruar për disa kohë të dërgonte vajzën te mjeku për shkak të traumave.
N.D thotë se është i zhgënjyer, ngase institucionet nuk kanë marrë një vendim asnjëherë dhe që fajtori kushdoqoftë të dënohet.
Ai e konsideron të domosdoshëm reagimin e institucioneve, sepse sipas tij, mund të bëhet vonë e mund të ndodhë diçka më e keqe mes tyre.
Një anë tjetër të historisë e dha A.B për KIKS Kosovën, 23-vjeçari me të cilin N.D pati përleshje fizike.
Ai tha se gjithçka filloi kur edhe atë natë, kombisti ilegal i kishte ardhur te autobusi dhe ia kishte thirrë udhëtarët.
23-vjeçari thotë se edhe në polici, deklaroi se N.D po punon ilegalisht, duke ia marrë punën, edhe pse paradite është i punësuar si pjesëtar i FSK-së.
Problemin që ka me këtë taksist, A.B thotë se ia ka lënë në dorë institucioneve, mirëpo nuk kanë marrë asnjë vendim.
Sipas rrëfimit të tij për KIKS Kosovën, janë diku rreth 150 kombistë ilegalë që funksionojnë, e sipas tij, shumica janë persona që gjysmën e ditës punojnë në institucione publike.


