Thursday, June 11, 2026
spot_img
HomeLajmeU ndal për të pushuar në autostradën hungareze, kosovarit i vidhen 8...

U ndal për të pushuar në autostradën hungareze, kosovarit i vidhen 8 mijë euro dhe dokumentet personale

Shtetasi kosovar thotë se hajnat i hapën veturën derisa po flinte në një zonë pushimi në autostradën M5. Rasti është raportuar në polici dhe në Ambasadën e Kosovës në Budapest.

Një shtetas i Kosovës ka rënë pre e një vjedhjeje gjatë udhëtimit të tij në Hungari, në një rast që ka ndodhur në autostradën M5.

Sipas deklarimit të viktimës me inicialet D.R., ai ishte ndalur në një zonë të dedikuar për pushim përgjatë autostradës për të bërë një gjumë të shkurtër, kur persona të panjohur i kanë hapur veturën dhe i kanë marrë sendet me vlerë.

Ai ka bërë të ditur se hajnat kanë arritur të marrin çantën e dorës, në të cilën ndodheshin rreth 8 mijë euro para të gatshme, letërnjoftimi, pasaporta dhe kartelat bankare.

Pas incidentit, D.R. ka njoftuar menjëherë policinë hungareze dhe organet diplomatike të Kosovës në Hungari.

“Policia hungareze më është përgjigjur menjëherë dhe për këtë i falënderoj. E falënderoj edhe Ambasadën e Kosovës në Budapest, që më është përgjigjur për dokumentin e udhëtimit. Ambasada e Kosovës m’i ka rregulluar dokumentet që unë të kthehem në Kosovë. Policinë e kam lajmëruar, më kanë dhënë dosjen e rastit. Menjëherë kur erdhën, i morën shenjat e gishtërinjve që kanë prekur derën, si dhe pamjet nga kamerat e sigurisë”, ka deklaruar ai.

Sipas viktimës, autoritetet hungareze kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit, ndërsa janë siguruar edhe provat e para nga vendi i ngjarjes, transmeton albinfo.ch.

Në fund, ai u ka bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve dhe udhëtarëve që kalojnë nëpër këtë segment të autostradës M5 të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ndalesave për pushim, duke mos lënë sende me vlerë në vende të dukshme dhe duke siguruar automjetet e tyre

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT