Saturday, September 12, 2026
spot_img
HomeLajmeU maskuan si policë dhe e nxorën nga spitali: Arratisja spektakolare e...

U maskuan si policë dhe e nxorën nga spitali: Arratisja spektakolare e shqiptarit në Greqi

Një operacion i gjerë kërkimi është duke u zhvilluar në Greqinë veriore pas arratisjes së një 40-vjeçari shqiptar të dënuar, i cili u largua nga spitali i Serres-it me ndihmën e disa personave të maskuar si policë.

Sipas “Kathimerini”, autoritetet kanë gjetur një nga dy automjetet që dyshohet se u përdorën gjatë arratisjes. Makina u gjet e aksidentuar në një rrugë të paasfaltuar, pranë unazës së Serres-it dhe jo larg spitalit. Brenda saj policia gjeti një kallashnikov dhe municione.

Një automjet i dytë është gjetur plotësisht i djegur në zonën e Volvit, ndërsa hetuesit po verifikojnë nëse ai u përdor nga bashkëpunëtorët e të dënuarit.

Ngjarja ndodhi pak pas orës 23:00, kur 40-vjeçari deklaroi se nuk ndihej mirë dhe u dërgua nga burgu në spital për ekzaminime. Sipas mediave greke, bashkëpunëtorët e tij e prisnin aty të veshur si efektivë policie dhe kishin përdorur një automjet me sinjalistikë policore për të krijuar përshtypjen se ishin pjesë e forcave të rendit.

Personat e armatosur arritën t’ia merrnin armën njërit prej rojeve dhe më pas u larguan së bashku me të dënuarin.

40-vjeçari po vuante dënimin për vepra të lidhura me drogën dhe armët dhe dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në incidente të mëparshme, përfshirë të shtëna me armë në Selanik.

Autoritetet greke vijojnë kërkimet për kapjen e tij dhe identifikimin e personave që organizuan arratisjen.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post U maskuan si policë dhe e nxorën nga spitali: Arratisja spektakolare e shqiptarit në Greqi appeared first on Sinjali.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT