Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të 18 gjyqtarëve nga komuniteti serb.
Vendimi është marrë pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili kishte refuzuar kërkesat e gjyqtarëve për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në vitin 2022.
Gjyqtarët e liruar nga detyra ishin larguar nga sistemi gjyqësor i Kosovës në nëntor të vitit 2022, në kuadër të dorëheqjeve kolektive të pjesëtarëve të komunitetit serb nga institucionet e vendit.
Ata kishin kërkuar që t’u mundësohej rikthimi në pozitat e mëparshme, mirëpo KGJK-ja, me shumicë votash, e kishte refuzuar kërkesën dhe i kishte propozuar Presidencës lirimin e tyre nga detyra.
Dekretet e nënshkruara nga u.d. Presidentja e formalizojnë përfundimisht largimin e tyre nga sistemi gjyqësor i Kosovës.
Muajin e kaluar, Haxhiu kishte nënshkruar edhe dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, të cilët po ashtu kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


