Një anije mallrash me flamur turk është fundosur në Detin e Marmarasë, pasi u përplas me një tanker pranë Stambollit. Si pasojë, 10 anëtarët e ekuipazhit të anijes rezultojnë të zhdukur.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së mërkurës, në afërsi të distriktit Silivri, rreth 33 kilometra larg bregut. Anija Tuğberk İmamoğlu, e cila po transportonte çelik të mbështjellë, u përplas me cisternën Alsu, raporton AP, transmeton Sinjali.
Sipas autoriteteve turke, anija e mallrave u fundos shumë shpejt pas përplasjes. Ministri turk i Transportit dhe Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloğlu, bëri të ditur se sinjali i emergjencës u pranua rreth orës 03:26, ndërsa anija ishte fundosur brenda rreth 11 minutash.
Në bord ndodheshin 10 persona, përfshirë kapitenin, të gjithë shtetas turq. Deri tani nuk është gjetur asnjë prej tyre.
Në zonë është zhvilluar një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi, ku janë angazhuar mjete detare dhe helikopterë. Ekipet kanë gjetur një varkë shpëtimi dhe mbetje të anijes, ndërsa kërkimet për ekuipazhin po vazhdojnë.
Ndërkohë, Alsu, e cila ishte një tanker bosh dhe po udhëtonte drejt portit të Aliağas, nuk raportohet të ketë pësuar dëme të mëdha nga përplasja. Shkaqet e aksidentit janë ende duke u hetuar.
Tuğberk İmamoğlu ishte nisur nga İskenderuni drejt portit të Karadeniz Ereğlit në Detin e Zi. Përplasja ndodhi në një prej zonave më të ngarkuara të trafikut detar të Turqisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


