Këshilli Prokurorial i Kosovës ka iniciuar hetim disiplinor ndaj një kryeprokurori të një prokurorie themelore, pas kërkesës së Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi.
Vendimi është marrë gjatë takimit të 301-të të KPK-së, të mbajtur të mërkurën në Prishtinë.
Ndonëse identiteti i kryeprokurorit nuk është bërë publik në njoftimin zyrtar të KPK-së, informacionet e bëra publike e lidhin procedurën me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini.
Hetimi disiplinor raportohet se lidhet me një rast në kompetencë të Prokurorisë Speciale, por detajet konkrete të pretendimeve dhe shkeljeve të mundshme nuk janë bërë të ditura.
Në të njëjtën mbledhje, para anëtarëve të KPK-së raportoi edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, lidhur me punën e këtij institucioni gjatë vitit 2025.
Pas shqyrtimit, Këshilli nuk e miratoi raportin vjetor të Isufajt. Në anën tjetër, u miratua raporti i Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami.
KPK-ja zgjodhi gjithashtu prokurorin Bahri Hyseni në pozitën e Zëvendëskryeprokurorit të Shtetit, pas propozimit të Kryeprokurorit të Shtetit.
Inicimi i hetimit disiplinor nuk nënkupton konstatim të përgjegjësisë. Pretendimet ndaj kryeprokurorit do të shqyrtohen nga mekanizmat kompetentë në përputhje me procedurat ligjore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


